Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit, edicioni i parë i filmit me metrazh të gjatë në Shqipëri, që po zhvillohet në qytetin bregdetar të Durrësit po ndiqet me sukses ndërkohë që organizatorët shprehen entuziastë për audiencën e lartë të spektatorëve që kanë ndjekur filmat e programuar në këtë aktivitet. Organizatorët Anila Varfi dhe Xhevdet Ferri shprehen të kënaqur për mikpritjen e qytetit të Durrësit, ndjeshmëria e të cilit për artin e kinemasë ndjehet veçanërisht në arenën e amfiteatrit antik, ku çdo natë shfaqen dy nga filmat që kanë konkurruar zyrtarisht më parë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Xhevdet Ferri është shprehur se “tashmë skepticizmi që na brente para fillimit të veprimtarisë ka kaluar plotësisht. Qyteti i Durrësit ka reaguar si një qytet i vërtetë arti dhe ne ndjehemi të entuziazmuar për audiencën e lartë në arenën e amfiteatrit antik”. “Gjatë shfaqjes së filmit “Koha e kometës” mbi 800 shikues, një pjesë e të cilëve të ulur në kodrinën që rrethon platenë e organizuar kanë ndjekur premierën botërore të filmit shqiptar të regjisorit Fatmir Koçi, mbështetur mbi veprën e Ismail Kadaresë”,- u shpreh drejtori i QKK. Specialistët e kinemasë, kritikët dhe artistët e ftuar janë gjthnjë të pranishëm jo vetëm në projektimet e filmave konkurrues, por edhe në konferencat e shtypit që organizohen cdo paradite në sallën e përgatitur me këtë rast në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Anila Varfi, drejtore artistike e këtij festivali është shprehur se një staf prej 45 vetësh punon për mbarëvajtjen e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit. Një pjesë e tyre janë punonjës të teatrit të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër janë punësuar për të gjitha llojet e shërbimeve brenda dhe jashtë mjediseve të festivalit. Sipas Varfit zgjerimi i numrit dhe gamës së seksioneve për filmat në konkurim do të jetë një nga pikësynimet e edicionit të dytë. “Organizimi i një seksioni të veçantë për filmin shqiptar, fituesi i të cilit duhet t'i nënshtrohet konkurrimit për të qenë pjesë e garës ndërkombëtare për “Gladiatorin e artë” do të mundësojë krijimin e hapësirave për një festival me frymëmarrje të gjerë jo vetëm rajonale, nënvizoi Varfi. “Nga dita e parë festivali po vëzhgohet nga organizatorë të festivaleve të tjera si TOFFI në Poloni. Mbërritja e një fituesi të çmimit Oscar si Jiri Menzel, apo prezantimi i filmave cilësorë si ai që paraqiti Irani, janë premisa të mira për të ardhmen”,- tha Varfi. Për çmimin “Gladiatori i artë”, konkurroi filmi shqiptar “Mao Ce Dun” i regjisorit Besnik Bisha dhe filmi italo-francez “Life sentence” i regjisorëve Daide Barleti dhe Lorenzo Conte. Filmi grek “Correction” i regjisorit Thanos Anastapoulos ka mbledhur qindra shikues në arenën e amfiteatrit antik të qytetit. Megjithëse për arsye teknike mungonte përkthimi në gjuhën shqipe filmi që trajton copëza dramatike nga jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi është ndjekur me interes nga shikuesit, një pjesë e të cilëve pushues në plazhin më të madh të vendit.
27 Gusht 2008 http://www.gazeta-albania.net
27 Gusht 2008 http://www.gazeta-albania.net
Komentet