Pas paradës së shfaqjes së filmave për një javë, (23-31 gusht) ka mbyllur ditët e tij me shpalljen e fituesve Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës. Fituesi i çmimit të madh “Gladiatori i artë” ka qenë filmi i regjisorit çek Jiri Menzel, i titulluar “Unë i shërbeva mbretit të Anglisë”. Gjithashtu, fitues të çmimeve të tjera kanë qenë regjisori Fatmir Koçi me filmin “Koha e Kometës”, me skenar të përshtatur nga vepra e Ismail Kadaresë. Çmime të tjera të dhëna prej këtij festivali kanë qenë çmimi special i jurisë që iu dha filmit norvegjez me temë shqiptare “Mirush”, çmimi i karrierës, për regjisoren Xhanfize Keko (pas vdekjes) dhe për aktorin Sandër Prosi (pas vdekjes). Ndërkaq një tjetër çmim, ai i aktores më të mirë u fitua nga Ornela Kapetani, e cila merrte pjesë në filmin grek me temë shqiptare “Correction”. Juria e këtij festivali ku merrnin pjesë 16 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës drejtohej nga Roland Sejko dhe përbëhej nga Mimmo Mongelli, Burbuqe Berisha, Marian Tutui, Havier Lamburs e Elena Ciuffrida.
2 Shtator 2008 http://www.gazeta-albania.net
2 Shtator 2008 http://www.gazeta-albania.net
Komentet