Ka filluar festivali ndërkombëtar i filmit i Tiranës.
Ou?
Ç’ne?
Na lër or çun, kemi hallet tona.
Edhe një Festival Filmi në Tiranë është një hall i madh, ngaqë, çdo gjë e jona është e destinuar të kthehet në hall. Ç’të bëjmë pra, me një festival filmi?
Uf-e-pufet e TIFF-it
TIFF, për ata që nuk e dinë është Tirana International Film Festival, një festival që ka 9 vjet që zhvillohet në Tiranë pak a shumë në këtë kohë. Këtë vit hallet e festivalit janë të shumta. Organizatorët e kanë nisur festivalin me buxhet zero. Asnjë institucion, shtetëror, privat ose gjysmë-kështu-e-gjysmë-ashtu nuk ka dhënë para. Vetëm disa dashamirë kanë dhënë ndihma në natyrë: një sallë kinemaje falas, disa dhoma hoteli pa para, printimin e katalogëve gratis, organizatorë që punojnë pa kërkuar të paguhen, e kështu me radhë. Si me thënë, është një organizim me shoqni. Pasqyrimi i aktivitetit nga ana e medias është tepër i vakët. Media ka për detyrë të shkojë tek arti vetëm nëse ka ndonjë politikan të nivelit të lartë për të bërë hapjen pompoze. Sepse, kultura nuk ka rëndësi, rëndësi ka pjesa “nën kujdesin e veçantë të Zotit…” – prandaj TIFF, siç shkruhet dhe në poster, këtë vit zhvillohet thjesht nën kujdesin e veçantë të Zotit.
Uf-e-pufet e mia
Një festival është një gjë shumë e bukur. Është i vetmi vend ku të ofrohen mundësi për të parë gjëra që nuk ke ku i sheh tjetër, për të takuar njerëz që nuk ke ku t’i takosh tjetër, për të krijuar një atmosferë gëzimi, si ajo kur të mblidhen miqtë në shtëpi. Sepse, festivali mbledh artistë që sjellin vlera personale e artistike. Ti mund të mos i ndjekësh të tërë filmat, po nuk mund të mos marrësh pjesë në festat e kafenetë ku gëlojnë njerëzit e festivalit. Në një qytet normal, ardhja e një festivali filmi, (aq më tepër, të vetmit!) do të ishte kryefjala e muajit. Në çdo lokal do të mund të gjeje fletëpalosje, postera, gazetarët do të suleshin për të kapur intervista me artistët.
Shteti, do të organizonte lehtësira fiskale për privatët që do të mbështesnin festivalin, thashethemet për jurinë e favoritët do të gëlonin korridoreve të artit e të medias. Paratë që qarkullojnë për festivalin, në të vërtetë janë investime që i japin frymëmarrje bizneseve dhe punësojnë njerëzit.
Krejt infrastruktura e qytetit, hotelet, restorantet, shtypshkronjat etj., do të viheshin në lëvizje për ardhjen e miqve nga jashtë, duke fituar vetë, por duke e mbushur qytetin me art.
Shqipëria, do të ndahej në qindra copëra të vogla mbresash pozitive që dhjetëra artistë do t’i merrnin me vete në vendet ku shkojnë. Ata që na qortojnë ne që ‘flasim keq për Shqipërinë para të huajve’, në vend që të kërkojnë që të manipulohet e vërteta, duhet të kërkojnë që të huajve t’u tregojmë anën tonë të bukur, jo t’u fshehim anën tonë të keqe.
Me dhjetëra workshop-e, takime, do të mundësonin që studentët dhe kinematografët të shkëmbenin përvoja, të ngjiznin ide, të gjenin partnerët e punëve të ardhshme.
Festivali do të krijonte tregun e filmit. Operatorët televizivë shqiptarë do të vinin për të blerë punë të mira, dokumentarë të jashtëzakonshëm e filma indipendentë tepër të mirë, komikë e dramatikë dhe mbi të gjitha, për të kontraktuar artistë për projektet e tyre.
Kudo ku ka një mundësi për ta shndërruar një faqe të bardhë muri në ekran kinemaje mund të shfaqeshin filma për publikun.
Uf-e-pufet e shtetit
Jetojmë në kohë jetimësh. Projekte jetime, fonde jetime, shkolla jetime. Shteti ka një shkollë filmi, por, askush nuk dëshiron ta mendojë që arti, sikurse futbolli, funksionon me ekipe zinxhir. Shkolla e filmit nuk i hyn askujt në punë, nëse këta studentë nuk do të kenë mundësi kurrë të bëjnë një film, sepse shteti nuk ka para për filmat e tyre. Studentët e asaj shkolle, nuk mund të jenë kineastë, nëse ky qytet nuk ka një festival filmi. Kinemaja nuk është vetëm bërja e filmit, por klima dashamirëse me kinemanë.
Kinemaja, i bën qytetarët më të lumtur dhe shtetin më njerëzor. Filmat dhe të ftuarit në TIFF janë cilësorë. Me mbështetjen e duhur do të ishin dhe më shumë cilësorë. Kjo do të bënte që gradualisht, publiku të edukohej me cilësi, kinemaja të bëhej vërtet një ngjarje e rëndësishme sociale, dhe jo një vend ku shkojmë sa herë na merr malli për kokoshka.
Edukimi i publikut do të prodhonte njerëz më të qetë e më të lumtur, mbi të gjitha shija për jetën, për artin e deri dhe për televizionin do të ndryshonte. Kjo do të prodhonte një brez që do të mund të bënte kinema dinjitoze… dhe për t’i dhënë fund fluturimit me mjete rrethanore, të kthehemi te fraza: “ik or çun me gjithë festival se kam hallet e mia”. Pra, të kthehemi te publiku shqiptar që ka dy idhuj: Gymyshin, dhe Kumbarin.
Uf-e-pufet e Kumbarit
Pjesëmarrja e publikut ishte shumë e vakët, njësoj si buxheti, zero. Nëse në sallat mblidheshin 10-20 vetë, ata nuk ishin publik, por një grup militantësh të kinemasë. Sepse, publiku ynë është edukuar që film i madh na është vetëm “Kumbari”.
Ndërkohë që pak metra larg festivalit, në qendrën tregtare “Kristal” me dhjetëra njerëz bënin xhiro a pinin kafe me orë të tëra, duke u ankuar për jetën boshe që s’bëjnë. As edhe një prej tyre nuk futi kokën në hollin e festivalit, të paktën për të pyetur çfarë filmash po jepen. Më krijonin idenë që psikologjikisht kanë një mur ndaj çdo gjëje të huaj, e që e identifikojnë si “kulturë”. Njësoj si actekët që kur arritën në brigjet e tyre anijet e Cortesit ata prapë nuk i shihnin, thjesht, sepse psika e tyre nuk ishte mësuar të shihte duke ardhur nga deti të tilla objekte.
Uf-e-pufet e Al Paçinos
Sa për nxënësit e kinemasë, ata që ndjekin shkollën e shtetit apo atë privaten, nuk u panë thuajse fare në qarkullim. Studenti i artit shqiptar që kur hyn në vit të parë mendon se i di të gjitha, e se nuk ka nevojë, mbi të gjitha për kulturë. Studenti shqiptar, që në klasë të parë, beson se është më i mirë se Paçino dhe më i talentuar se Skorceze. Prandaj, nuk ka nevojë të vijë në festival filmi. Nxënësit e kinemasë pati raste kur nuk u shfaqën as për të parë filmat e vet, le më të kolegëve.
A na duhet, pra, një TIFF? Nëse “e ardhmja” e kinemasë e snobon festivalin, njësoj si media, e identik si shteti, ç’na duhet një festival?
Uf-e-pufet e kinemasë
Kinemaja në fakt është më shumë se kulturë. Është një biznes që mund të prodhojë para, është një art që mund të prodhojë kënaqësi masive, është një mjedis ku rriten artistë e individë të lirë.
Për fat të keq, çdo projekt artistik në Shqipëri është i detyruar të dështojë përderisa çdo titullar vjen me logjikën: “Historia nis me mua”. Prandaj, dhe çdo iniciativë e mbështetur nga një ministër a drejtor, flaket nga pasardhësi, i cili do të nisë “erën e vet”. Dhe era e vet, nënkupton erën e vet të parave, të klaneve, e të famës, e cila në mënyrë mjerane reduktohet në një frazë cinike: “nën kujdesin e…”.
Megjithatë një TIFF, duhet.
Ashtu siç nuk i lemë fëmijët pa banka, edhe kur i zhgarravisin me egërsi çnjerëzore e i shkatërrojnë. Siç e duam akoma dhe Atdheun, edhe pse është më shumë atdheu i ca të tjerëve se i yni.

Komentet