6/03/2009

Njeriu, Struktura, Zhurma dheHeshtja: Reflektime Rreth Ekspozitës së Marco Fantini-t dhe Ziso Kamberajt

Më 29 Prill u hap në Promenade Gallery të piktorit dhe galeristit vlonjat Artan Shabani ekspozita “Exquisite Creatures” [Krijesa Delikate] e italianit Marco Fantini dhe shqiptarit Ziso Kamberaj, kuruar nga Pino Bonano i Universitetit të Klagenfurtit. Meqë nuk jam një kritik arti por një njeri i interesuar në teori sociale, dhe meqë jam nga ata që mendojnë që kërkimi i sublimes estetike nuk është domosdoshmërisht i pavaruar nga misioni social i artit, po hedh këto shënime për të treguar se si një art i mirë është pashmangshmërisht në funksion të njerëzimit edhe nga pikëpamja politike. Sidomos nga pikëpamja politike.

Sigurisht nëse me politikë nuk kuptojmë vetëm politika partiake apo shtetërore apo ndërkombëtare por edhe duelin e përjetshëm individ/strukturë që po tenton të shfaqet formalisht edhe mes bijve të shqipes që kanë jetuar përjetësisht mes këtij dueli por në injorancë të lumtur për ekzistencën e tij. Ja tani ku i gjejmë të dy këto koncepte tek rivalizojnë dhe harmonizojnë në një ekspozitë të vetme (e ç’ka të veçantë këtu: a nuk urrehen e duhen ata në të njëjtën mënyrë në çdo qelizë të shoqërisë njerëzore?)

Marco Fantini shikon Njeriun. Mes zhurmës, rrëmujës, një ambienti të ngjyrosur selektivisht (artistikisht), të qartë dhe të mjegullt, këtu dhe atje, të lumtur dhe të trishtë, të djeshëm dhe të sotëm, intensiv apo të shpenguar, në këmbë apo i ulur, serbes apo i turpshëm, gjendet Njeriu. Nuk mund t’i shpëtosh dot; ai zotëron mbi të gjithë ambientin përreth, edhe kur nuk është figura me e madhe në të. Duke sunduar botën e tij apo botën e telajos ku ndodhet, Njeriu i Marco Fantini-t në fakt sundon botën. Nuk ka arsye për t’u trembur, mund te mos jetë një diktator apo një gangster; mund të jetë thjesht një mjek, muzikant apo shkencëtar. Edhe ata kanë botëra për të sunduar: ne veçse përfitojmë kur ata e sundojnë mirë botën e tyre, ashtu siç përfitojmë nga Fantini që sundon mirë botën e tij.

Nuk jam i sigurt nëse vetë Fantini është i vetëdijshëm për vlerën filozofike përtej vlerës artistike në artin e tij. Mendoj se po ngaqë personalisht më mungon ndjenja e humorit kur flitet për çështje të tilla dhe nuk dua që gjërat të mbeten në duar të rastësisë. Në këtë rast, kemi mes nesh një relike të Iluminizmit të cilin e kemi keqinterpretuar deri në zhubrosje, por që tani është koha t’i kthehemi edhe një herë pasi postmodernizmi, ashtu si vrasësit masivë nëpër shkolla apo tregje të Amerikës, pasi “vrau” lart e poshtë kë i doli përpara, tani ia ka kthyer edhe vetes (ua lehtesoi këtë punë kundërshtarëve që, në fakt, nuk ia kishin ngenë as për ta vrarë). Ja se si gjethet (kanoçet e vjetra të monumentalizuara në artin instalativ) nuk na kanë lënë të shohim pyllin (Njeriun). Njohja fillon këtu dhe për të - edhe njohja e kanoçeve.

Ziso Kamberaj më surprizon me të anasjelltën (për herë të parë nuk po them “të kundërtën”). Atij i intereson Struktura. Kjo Strukturë për të është konteks ku ai vendos rraqet e bodrumit të shtëpisë. Në atë bodrum apo në cilindo nga ambjentet tona postsocialiste, këto rraqe do të ishin kujtesa ose të një trashëgimie kulturore otomane të shoqërisë tonë, ose sendet e tejpërdorura në mjerimin material socialist. Konsumerizmi ynë bashkëkohor i lëshuar nga zinxhirët i ka zhvleftësuar ato tashmë nga ana praktike ndërsa stërpërdorimi i tyre nuk ka lënë më asnjë mesazh estetik që ato mund të transmetojnë. Fati i tyre është tashmë i përcaktuar: harresa dhe/ose shkatërrimi. Konteksti ynë i përditshëm është armiku i tyre fatal.

Këtu ndërhyn Kamberaj me një kontekst të ri, atë estetik. Duke i vendosur në disa plane të çuditshme monokromatike, autori i shndërron ato objekte të pavlera në thelbin e rrugëtimit të tij drejt sublimes absolute të cilën më pas ai na e transmeton tek ne përmes telajove të plotësuara jo vetëm me këto plane dhe sende mbi to por edhe të një morie detajesh teknike, estetike e artistike (hile te zanatit) për të plotësuar shfaqen (revelimin) e sublimes që ai dërgon tek ne si një gjysmëzot nga jetëbota e tij e veçuar (rekluzive). Detajet në këto telajo luajnë një rol të dyfshtë: nga njëra anë krijojnë një kontekst material ku sendet - rraqe të tilla si vazo, poçe qeramike, dritare si kudrate drite apo thjesht njollë e bardhë krem e kufizuar qartë, tiganë e tepsi të kallaisura nga kallaixhiu i qytezës apo autori vetë, lule të disa frymëzimeve e qytetërimve, mjete shkrimi midis të kaluarës romantiko-primitive dhe të tashmes teknologjiko-cinike jetojnë në botën e tyre kontekstuale, me të vetmin ndryshim se tani ne jemi më të vëmendshëm ndaj saj; nga ana tjetër, është konteksti artistik, i panjohur më parë për ne, i krijuar nga artisti, dhe i shfaqur tek ne sipas dëshirës (tekave) së tij.

Ky është një kthim fantastik tek modernizmi i lartë me të gjithë elementët e tij politik, filozofik dhe artistik. Fantini proteston komiken në deklarimin e vrasjes së artit dhe individid nga postmodernizmi; Kamberaj ironizon sarkazmën patetike të shkatërrimit të strukturalizmit prej dekonstruksionit postmodernist. Pas 2500 vjet grindjesh pa pajtim, ontologjitë e tyre kanë shpallur më në fund paqen në këtë ekspozite për të qëruar hesapet me një armik aspak të denjë dhe kalimtar (Charles Altieri e ka vërejtur rënien e postmodernizmit që në 1998). Esellia dhe ekuilibri perfekt filozofik e artistik e bën kundërvënien e artistëve ndaj skizofrenisë postmoderniste një lojë cinglash. Fantini thotë: ja ku është objekti im sublim - Njeriu; Kamberaj thotë: ja ku është sublimja ime - gjithçka e rrezikuar nga konsumerizmi bashkëkohor. E ç’mund të thotë artisti postmodernist përballë tyre? Që ai ka vrarë sublimen dhe që ai nuk është më artist? Po ç’farë është atëherë? Një mbledhës kanoçesh mes plehrave të Sharrës? Jo faleminderit! Meqë nuk jam pronar i ndonjë fonderie ku riciklohen kanoçe alumini, ato objekte nuk përbëjnë më asgjë për mua. A ke ndonjë mesazh të lartë për të më transmetuar, diçka që unë nuk e di dhe nuk e kam ndierë më parë? A ma udhëheq dot rrugën drejt të vërtetës dhe të bukurës absolute? Unë bindem edhe më tepër që ajo ekziston pasi shikoj përpjekjet shkatarraqe të artistit postmodernist (pak punk, pak gothik/metalar, pak travesti e pak nga të gjitha bashkë) për ta mohuar atë.

Sepse Fantini dhe Kamberaj më udhëheqin mua nëpër një botë magjike që unë e ndiej dhe perceptoj por nuk e reifikoj (materializoj) dot. Ata më hapin mua dritare që unë e di se ekzistojnë drejt një bote që unë e di se është por që pa ta unë nuk e arrij dot. Sepse unë jetoj në një jetëbotë tjetër dhe përpiqem të sundoj atë teksa sundimin e jetëbotës artistike ua kam lënë artistëve. Unë nuk jetoj në komunizëm dhe nuk dua t’i bëj të gjitha punët sipas parimit marksist të zhdukjes së ndarjes së punës (do të isha shumë kurioz ta shihja Marksin të punonte çdo mëngjes peshkatar në Ndërmarrjen e Midhjeve Sarandë, shofer furgoni në drekë dhe profesor universiteti në mbrëmje). Kësisoj, unë pres që secili të bëjë punën e tij, dhe sigurisht, artisti të vetën. Sepse ai është i pajisur me dhuntinë kimiko-biologjike apo hyjnore për ta gjetur atë: quhet talent i cili shumë prej nesh na mungon.

Megjithatë, unë nuk mendoj se ne jemi krejt pa rol në këtë kontekst estetiko-social. Kësisoj, le të kthehemi tek kontributi ynë (akustik) në rastin konkret dhe në përgjithësi. Ajo që mbretëroi në hapje të ekspozitës së Fantini-t dhe Kamberajt ishte zhurma, një gumëzhimë e parreshtur e vizitorëve të veshur ultrashik dhe me një interes intensiv në gjithçka përreth (burrat sidomos për gjokset gjysmë të zhveshura të grave ose për pijet në banak, ndërsa gratë për çmimet e kravatave të burrave dhe të dyja palët së bashku për kamerat). Por unë u pushtova nga një dashuri e pakufishme për atë kolektiv sepse ata ishin njerëzit që kishin zbritur nga tablotë e Fantini-t ose ata ishin njerëzit që unë do t’u propozoja që të ngjiteshin në ato tablo dhe të bëheshin personazhe të tyre. Ajo zhurmë zbriste dhe rikthehej tek ato punime me një akustikë perfekte. Por ky është vetëm një pasqyrim i interpretimit që unë bëra në ato çaste; në asnjë mënyrë nuk duhet konsideruar si performancë që bën punimet e Fantini-t. Këto punime qëndrojnë aty po aq imponuese edhe në heshtje porse zhurma u bën mirë atyre, shton në kontekstin e tyre.

E kundërta është për punët e Kamberajt. Që të mund të kapësh sublimen në to, punët e Kamberajt kanë nevojë për një heshtje solemne që shndërrohet në një vlerë të shtuar të heshtjes së tablove në kufijtë e zeros absolute të fizikës njutoniane. Kjo nuk do të thotë gjithsesi se ne duhet të kërkojmë heshtjen në mënyrë performative, pra të marrim pjesë në krijimin e veprës artistike duke heshtur. Puna, mesazhi, mjeshtëria, sublimja janë në zotërim të autorit. E vetmja gjë që na lejohet ne është interpretimi. Unë e ndieja atë interpretim në heshtje dhe jam gati i sigurt që edhe të tjerët do t’i kishin shijuar më mirë ato punë në heshtje. Por teksa shihja njerëz që tek-tuk e kuturu shfaqnin edhe ndonjë interes për punimet dhe nguleshin përpara tyre, unë iu nënshtrova intersubjektivitetit të interpretimit dhe i dhashë vetes premtimin për t’u kthyer përpara tablove të Kamberajt në një kohë tjetër, në heshtje. Kur e bëra këtë kuptova se kisha të drejtë (po gënjej pakëz këtu sepse unë e dija paraprakisht këtë qëkurse i kisha parë më parë këto punë në shtëpinë e autorit).

Ika i mbushur nga ekspozita sepse luftën time për sublimen estetike po e luftonin me sukses ata që ishin më të pajisur se unë për atë luftë, ata që kishin talentin e duhur. Tani unë mund t’u kthehem punëve të mia pa vrarë mendjen për një përpjekje individuale drejt sublimes estetike të cilen e dua, e lakmoj, por nuk e arrij dot i vetëm. Ka disa njerëz që vazhdojnë ta hapin rrugën deri aty, ta arrijnë, zotërojnë dhe shpërndajnë atë drejt shoqërisë në mënyrë shfaqore (reveluese); këta janë intelektualët-artistë, sipas një përkufizimit tim. Dikur intelektualet qenë edhe revolucionarë që vdisnin barrikadave pasi më parë kishin frymëzuar masat për t’u ngritur në luftra çlirimtare apo revolucione që fillojnë me rrafshimin e pabarazive dhe mbarojnë me vetëvrasje; dikur ata qenë tipikja europiano-lindore. Sot, në shoqëritë tona postmaterialiste dhe nën presionin e teknokracive e burokracive, nuk mund të kërkojmë më kaq shumë nga intelektualët. Kësisoj, pasi e kemi ngushtuar pritshmërinë ndaj tyre, përqëndrohemi vetëm në pritshmëri të ndërtuara sipas rregullash loje të ditura: ata jetojnë në jetëbotën e tyre gjysmëhyjnore dhe ne presim prej tyre udhëheqje në ato fusha ku ata dijnë. Për të tjerat, ne i sundojmë vetë jetëbotët tona.

Ridvan Peshkopia
Universiteti i Kentakit
Universiteti i Vlorës

Intervista me Dhurata Lazo Bejleri

Intervista: Albana Temali
Artistë që ndajnë talentin mes dy brigjesh - kështu mund të përkufizoja situatën që paraqitet sot të artisteve shqiptarë, që jetojne përtej Adriatikut. Jane lindur, rritur e formuar si profesionistë në shkollat shqiptare e kanë perfeksionuar talentin e tyre në Akademitë e huaja duke përvetesuar dije të reja, duke plazmuar kështu vlera të reja e duke shfytëzuar mundësi afirmimi.

Jane të shumtë sot, por mbase mjafton të drejtojmë vëmendjen te një aktivitet i tyre për të kuptur realitetin e ri që përjetojne mes skenave shqiptare e të huaja, mes publikut shqiptar në Shqipëri e publikut shqiptar e të huaj në vende të tjera të botës. Një eksperiencë të tille sapo e ka kaluar, pianistja jonë e talentuar Dhurata Lazo Bejleri me Koncertin e dhënë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë me Orkestrën e RTSh nën drejtimin e dirigjentit kanadez Alain Trudel.

Dhurata "kaperceu" Adriatikun në fillim e viteve '90 për t'u bashkuar me bashkeshortin e saj polistrumentistin Zija Bejleri, i vendosur me parë në Veneto. Dhurata pas ardhjes në Itali, nis serish studimet e merr diplomë për pianoforte në Konservatorin "G.Verdi", Milano (Diploma e parë e saj është në pianoforte, në Akademine e Arteve të bukura në Tirane me maksimumin e pikeve me prof.shën Anita Tartari me repertor: Bach, Beethoven, Hyden, Chopin, Listz, Grieg, Ravel, Debussy, Brams, Rachmaninov, Schuman, Schubert, Scriabin etj). Përveç kësaj diplome ajo vazhdon në 1994 kurse perfeksionimi pianistik nderkombëtare në Portogruaro(Ve) me M° Mika Marian, Kurs perfeksioni te larte pianistik vjetor në qëndrën "Karol Szymanovsky" në Padova, në 1995 e në 1998 Kurs tjetër perfeksionimi pianistik në Chioggia (Ve), më një Koncert në Festivalin pianistik ndërkombetar. Në vitet 2003-2004 ndjek sërish kurse perfeksionimi për soliste koncertiste në Padova dhe në 2005 - Piano Master Class, në Monfalcone. Kjo periudhë është edhe e frutshme për Dhuratën me koncerte jo vetëm në Itali ku tashmë ka ndërtuar familjen, por dhe jashte saj. Vlen të permenden koncertet recitale në Rome, Udine, Venezia, Trieste, Pordenone, Gorizia, Treviso, por edhe në Frankfurt -Gjermani, në Nju Jork e Filadelfia-ShBA si

dhe koncertet e saj në Shqipëri në Akademine e Arteve, Tirane.E takuam pikërish pas koncertit te fundit të saj ne prill 2009 , ne Tiranë.

Intervista:

Pothuaj një vit me pare dhatë koncert bashkë me bashkëshortin tuaj, në Akademinë e Arteve në Tiranë ku dhe jeni diplomuar të dy. Natyrisht ishte një eksperience jashtë të zakonshmes së koncerteve të deriatëhershme - emocione, po njëkohësisht edhe përgjegjesi mbasi riktheheshit të shkolla juaj e te ish-profesoret tuaj. Këtë vit një tjetër kthim "alla grande" për një Koncert me Orkestrën simfonike të RTSh dhe nën drejtimin e një dirigjenti të huaj. Nga kush mberriti ftesa, si e pritet e kush ishin mbeshtetesit e saj?

Pata nje ftese nga Orkestra e RadioTelevizionit, me të cilën kam luajtur për herë të fundit kur isha 17 vjeç, e ku kam luajtur Koncertin e Beethovenit nr. 3 me dirigjentin e madh Ferdinand Deda.
Një emocion vërtet shume i bukur, i realizimit të kësaj ëndërre ....
Rikthimi im është vërtet mbas 20 vjetësh, por ishte i mrekullueshem, e ku kam takuar artistë të gjeneratës sime, por dhe artiste të rinj.

Koncertin e drejtoi kësaj radhe një dirigjent i huaj - kanadezi Alen Trudel. A kishit njohje apo bashkepunim te meparshem me këtë dirigjent ?
Dirigjenti kanadez Alain Trudel ishte i ftuar dhe është hera e parë që vjen ne Tirane. Ishte një koincidencë të bënim së bashku koncertin.

Sa njohje kishte për muzikën shqiptare Trudel?
Une luajta disa vepra të autorëve shqiptare dhe Dirigjenti Trudel u dashurua përnjëhere mbas muzikës tone të mrekullueshme. I dhurova dhe CD-në time dhe ka shumë mundësi të organizoj një koncert në Kanada me pjesë shqipetare, ku unë jam e ftuar.

Si perballohet pergatitja pr nje impenjim te tille pra publikut - e përgjithësisht çdo të thotë për një profesionist kjo etapë përgatitore?
Koncertet e mia janë të ndryshme. Përgatisja në të njëjtën kohë një program për Recitalin tim dhe për një koncert tjetër me 4 duar, muzikë dhome, me një pianiste amerikane Kristina Carden:ky koncert u bë një javë përpara se të shkoja në Tirane, më 17 prill.

Me punë realizohet gjithcka, sidomos kur eshte dhe pasioni shume i forte.

Cilët kompozitorët tuaj të preferuarit tuaj e ku e ndjeni që shpreheni me mirë?

Më pelqen shumë muzika e romantikëve. Kompozitori im i preferuar është Chopin, po sigurisht më pelqen shumë Schumann, po ashtu Brahms, Mendelsohn, Schubert, Liszt etj.

Ishte surprize interesi i publikut e mikpritja apo e prisnit një gje të tillë?
Jam shumë e kenaqur nga puna serioze e orkestrantëve të RadioTelevizionit e dirigjenti Alain Trudel më ka dhënë një sodisfaksion shumë të fortë. Ishte një marreveshje shumë e mirë midis ne të dyve. Emocion shume i bukur.

Cilët mendoni se kanë qënë "pikat e forta" të koncertit ?
Koncerti i Grigut është një perlë e vërtet, ku i ka të gjitha brenda: virtuozitetin, poezinë, dancën tipike norvegjese të influencuar paksa nga eleganza franceze...

Pas-koncerti është edhe një mjet-mates i vërtetësisë së duartrokitjeve. Lule e mesazhe nuk kane munguar. Nje "flash" i atij momenti?
Jam ndjere shume mirë, mbi të gjitha nga publiku ku më priti shume mirë, edhe pse një vit më përpara bëra një recital bashkë me bashkëshortin në Akademi dhe vërtet u pritëm shumë mirë.
Ishte një kënaqësi e madhe por edhe shumë përgjegjësi e madhe të luash përpara ish-profesoreve dhe miqve të tu të shkollës.

Stina e verës nisi mbare me ketë koncert në Atdhe dhe do të vazhdoje ....?

..me një koncert recital në fund të qershorit, në Gjermani.

http://www.albacenter.it

Artan Shabani at 53rd Venice Biennale, Official Collateral Events


Dear All,

I'm pleased to invite you to my next upcoming show
at 53rd Venice Biennale,
KROSSING Immaginodromo,
Official Collateral Events,
in FORTE MARGHERA
from june 4th - november 22nd 2009.

http://www.thepromenadegallery.org

Hope to see you there.
All my best

Sono lieto di invitarvi al mio prossimo evento
alla 53° Biennale di Venezia,
KROSSING Immaginodromo,
Eventi Collaterali Ufficiali,
presso FORTE MARGHERA
dal 4 giugno - 22 novembre 2009.
Per ulteriori dettagli
http://www.thepromenadegallery.org

Artan Shabani